Fiton lirinë e plotë mafiozi famëkeq italian, “krahu i djathtë” i Toto Rinas

Giovanni Brusca, një nga emrat më famëkeq të mafies italiane dhe njeriu që aktivizoi shpërthimin që vrau prokurorin legjendar të anti-mafias Giovanni Falcone në vitin 1992, është tashmë i lirë, pas përfundimit të një periudhe katërvjeçare lirie me kusht që pasoi dënimin me 25 vite burgim.

Brusca, sot 68 vjeç, ishte pjesë kyçe e organizatës kriminale Cosa Nostra, dhe konsiderohej si krahu i djathtë i bosit famëkeq Salvatore “Toto” Riina.

I njohur si “kasapi i Cosa Nostra-s”, ai ka pranuar pjesëmarrjen në mbi 100 vrasje, përfshirë edhe disa nga më të tmerrshmet në historinë
e mafies moderne italiane.

Më 23 maj 1992, Brusca aktivizoi bombën me telekomandë të vendosur në autostradën pranë Capacit, duke vrarë Giovanni Falconen, bashkëshorten e tij Francesca Morvillo dhe tre truproja të tyre. Vrasja e Falcones mbahet si një nga atentatet më tronditëse në historinë e shtetit italian.

Ai është gjithashtu autor i një akti tjetër akt mizor që ronditi Italinë dhe kishte të bënte me rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e 11-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, djali i një ish-mafiozi të penduar. Pas muajsh të tërë në mbajtje peng, djali u mbyt me litar dhe trupi iu tret në acid, një akt hakmarrjeje për bashkëpunimin e të atit me drejtësinë.

Pas arrestimit në maj 1996, Brusca filloi të bashkëpunonte me drejtësinë italiane, duke u bërë një i “penduar i besueshëm”. Dëshmitë e tij ndihmuan në hetimet e mega-proceseve kundër mafies dhe zbardhjen e shumë strukturave kriminale.

Ky bashkëpunim i dha mundësinë për të përfituar nga ligjet italiane për ulje dënimi, duke u liruar me kusht në vitin 2021 dhe më 1 qershor 2025, fitoi lirinë e plotë.

Megjithatë, ky zhvillim ka shkaktuar indinjatë të thellë tek të afërmit e viktimave, të cilët nuk e kanë pranuar dot lirimin e njeriut që konsiderohet simbol i barbarisë mafioze.

Tina Montinaro, e veja e truprojes Antonio Montinaro, u shpreh:”Është e dhimbshme të dish që një njeri përgjegjës për kaq shumë vdekje është i lirë sot. Bashkëpunimi me drejtësinë nuk i fshin krimet e kryera.”

Edhe pse teknikisht i lirë, Brusca do të jetojë larg Siçilisë, nën identitet të ri dhe në program mbrojtjeje, për shkak të rrezikut të lartë për jetën e tij nga mafiozë të tjerë që ai ka denoncuar.

Të Fundit