Fiter Bajrami, fjala e Kreut të KMSH-së: Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden, ku njeriu matet me atë çfarë ka dhe jo atë çfarë është

Sot është Fitër Bajrami. Besimtarët myslimanë shqiptarë ashtu si në gjithë botën falën Namazin në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.

Mesazhi i kreut të KMSH shkoi për familjen, i cili tha se familja shqiptare nuk po jeton ditët më të mira. “Ne jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden, ku njeriu matet me atë çfarë ka dhe jo atë çfarë është.

Zoti na thotë që: Më i miri prej jush është ai që është më i dobishëm për njerëzit.

Ndaj sot kemi nevojë për njerëz me karakter, që nuk tuten nga frika por qëndrojnë drejt ndaj së vërtetës,

Kjo ditë s’është vetë festë, por edhe mesazh. Ne jemi një komb, dhe një familje nuk e braktis njëri-tjetrin.

Sadakaja është një rikujtim ku pasuria nuk është në dorën e një njeriu por të gjithkujt.

Zoti na mëson se pasuria nuk është në atë çfarë mbledhim, por atë çfarë shpërndajmë”, u shpreh ndër të tjera Spahiu.

Kryetari i KMSH pas faljes së namazit ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin. Spahia bëri thirrje për më shumë tolerancë mes njëri tjetrit, ndërsa tha se lutjet shkojnë për paqe e drejtësi në gjithë botën.

Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.

Fjalimi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman për Fitër Bajram

Të dashur besimtarë, vëllezër dhe motra,

Sot, agimi i Fitër Bajramit na gjen me zemrat e mbushura me dritën e besimit dhe me shpresën se sakrifica jonë është pranuar nga Krijuesi ynë. Ramazani që lamë pas nuk ishte vetëm një muaj adhurimi, por një shkollë e përkushtimit, e durimit dhe e reflektimit mbi qenien tonë.

Ne kemi qëndruar larg epsheve për të fituar vetëpërmbajtje. Kemi qëndruar pranë Zotit për të gjetur qetësinë. Kemi hapur duart për të dhënë, që zemrat tona të mos ngurtësohen nga indiferenca. Dhe sot, me këtë festë të bekuar, vjen edhe pyetja e madhe: Çfarë do të bëjmë tani? A do të mbetet Ramazani një kujtim, apo një udhërrëfyes për vitin që kemi përpara?

Allahu i Madhëruar na thotë në Kuran:

“Dhe që të plotësoni numrin (e agjërimit) dhe që ta madhëroni Allahun për atë që ju ka udhëzuar, dhe që të falënderoni.” (El-Bekare: 185)

Sot, ky falënderim duhet të jetë më shumë se fjalë. Ai duhet të reflektohet në mënyrën si ndërtojmë jetën tonë, si ndërveprojmë me shoqërinë, si mbrojmë të vërtetën dhe si qëndrojmë përballë sfidave të kohës.

Ne jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden, ku e vërteta shpesh humbet në zhurmën e propagandës dhe ku njeriu matet me atë që ka, e jo me atë që është. Përballë kësaj, Islami nuk na mëson të tërhiqemi, por të qëndrojmë me dinjitet. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Më i miri prej jush është ai që është më i dobishëm për njerëzit.” (Ahmedi)

Kjo do të thotë se sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për njerëz me karakter, për besimtarë që jo vetëm luten, por edhe ndërtojnë, që jo vetëm kërkojnë, por edhe japin, që nuk ndrydhen nga frika, por qëndrojnë në këmbë me të vërtetën.

Në një kohë kur ndarjet mes njerëzve shtohen dhe urrejtja gjen strehë në zemrat e dobëta, Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë. Kjo ditë nuk është vetëm një festë, por një mesazh: Ne jemi një komb. Ne jemi një familje. Dhe një familje nuk e braktis njëri-tjetrin.

Sadakaja, Zekati bamirësi të tjera, që e kemi dhënë para Bajramit, është më shumë se një ndihmë për të varfërit. Ato janë një dëshmi e vërtetë e barazisë, një rikujtim se pasuria nuk është pronësi absolute, por një amanet nga Zoti.

Në një botë ku pasuria është grumbulluar në duart e pak njerëzve, ndërsa shumë të tjerë vuajnë për bukën e gojës, Islami na mëson se fuqia e vërtetë nuk qëndron në atë që mbledhim, por në atë që shpërndajmë.

Nëse duam një shoqëri më të drejtë, duhet të fillojmë me drejtësinë në vetvete. Nëse duam një shoqëri më të mëshirshme, duhet të ushtrojmë mëshirën mbi njëri-tjetrin.

Profeti ynë i dashur ka thënë:

“Nuk është besimtar i vërtetë ai që fle i ngopur ndërkohë që fqinji i tij është i uritur.” (Ahmedi)

Kjo ditë Bajrami është një urë midis asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe asaj që do të bëjmë pas tij. A do të vazhdojmë të jemi të drejtë? A do të vazhdojmë të jemi të mëshirshëm? A do të vazhdojmë të qëndrojmë në rrugën e Zotit edhe kur ajo rrugë nuk është e lehtë?

Sot, teksa përqafojmë njëri-tjetrin dhe urojmë për festën, le të mos harrojmë se çdo përqafim është një betim për vëllazërinë, çdo lutje është një premtim për përkushtim dhe çdo buzëqeshje është një reflektim i dritës së besimit.

Edhe një herë, lusim Zotin e Madhëruar që ta ketë pranuar agjërimin dhe adhurimet tona, të na japë forcë për të përballuar sfidat e kësaj jete dhe të na bëjë pishtarë të së mirës në një botë që ka kaq shumë nevojë për dritë.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Të Fundit