Një rast kontrabande është goditur në Durrës, ku janë sekuestruar 600 fishekzjarrë, pajisje elektroshtëpiake, pije alkoolike dhe mallra të tjera.
Ndërkohë materialet i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për garantimin e rendit dhe sigurisë, parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontrolle në port Durrës dhe në subjekte të ndryshme tregtare, për të evidentuar raste të kontrabandimit të mallrave dhe të tregtimit të tyre në kundërshtim me ligjin.
Si rezultat i kontrolleve me metoda bashkëkohore, shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës kanë goditur 2 raste të kontrabandës së mallrave, për të cilat janë proceduar penalisht shtetasit:
B. C., 24 vjeç, banues në Kurbin, pasi gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën 6 kuti me nga 100 fishekzjarrë secila, të padeklaruara;
O. A., 57 vjeç dhe Xh. H., 32 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në autobusin e tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 200 shishe me pije të ndryshme alkoolike, pajisje të ndryshme elektroshtëpiake (mallra për të cilat paguhet akcizë) dhe mallra të tjera të padeklaruara.
Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve në terren, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë goditur 2 raste të shitjes së mallrave të kontrabanduara, për të cilat janë proceduar penalisht shtetasit:
D. Ç., 39 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e tij, në lagjen nr.4, Durrës, shërbimet e Policisë gjetën pije të ndryshme alkoolike të kontrabanduara, pa pullë fiskale, të cilat ky shtetas i shiste duke fshehur të ardhurat;
A. V., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën qindra paketa me cigare, të kontrabanduara, pa pullë fiskale, të cilat ky shtetas po i transportonte me qëllim shitjen.