Festat sjellin trafik të rënduar në Tiranë, eksperti: Semaforët e shumtë bllokojnë qarkullimin, duhen mbikalime!

Tirana vijon të përballet me trafik, i cili është rënduar edhe më shumë për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që janë kthyer në atdhe për festa. Pothuajse të gjitha rrugët dhe kryqëzimet kryesore janë të bllokuara nga trafiku. Për ekspertin rrugor, Arben Luzi shkak i trafikut të rënduar janë numri i lartë i semaforëve në kryqëzime.

Eksperti thotë se numri i lartë i semaforëve krijon bllokime në kryqëzime dhe pengesa për rrjedhjen e normalizuar të trafikut. Sipas tij, duhet të ndërtohen nënkalime dhe mbikalime për këmbësorët.

Ai thotë se një tjetër problem që ka rënduar trafikun është ndërtimi i segmenteve rrugore të reja, të cilat janë ende në punë, duke sjellë bllokime të mëtejshme. “Ne i kemi pasur rrugët më të vogla, me një korsi, tani janë bërë me dy dhe tre korsi. Por, nëse do i referohemi këtyre rrugëve, do shohim se janë të ngarkuara me semaforë. Në asnjë rrugë nuk ke një nënkalim ose mbikalim të këmbësore, kjo sjell pengesën e rrjedhjes së trafikut në mënyrë normale. Duhet gjetur zgjidhje alternative, mbi lumin Lanë janë bërë ura të kalimit, mund të ishte gjetur zgjidhje më arkitektonike, që këmbësori të mos futje fare në rrugën e lëvizjes së mjeteve. Kjo sjell mbivendosje të mjeteve në kryqëzime dhe më pas bllokohen kryqëzimet. Kemi edhe segmente rrugore në ndërtim dhe kjo sjell trafik. Semaforët janë pengesë për qarkullimin normal, duhen nënkalime dhe mbikalime të rakorduara”, thotë Luzi.

Një burim tjetër i bllokimit të trafikut, sipas ekspertit, janë vetë drejtuesit e mjeteve që nuk i zbatojnë si duhet rregullat e qarkullimit rrugor. Për këtë arsye, Luzi thotë se ndërhyrja e punonjësve të policisë është e domosdoshme për të menaxhuar situatën.

“Ne mbajmë të gjithë një makinë, makina të vret, por nuk marrim masa të edukojmë veten për të zbatuar rregullat e qarkullimit, trembeni vetëm nga fika e asaj gjobe, e policit. Nuk kemi edukatën qytetarë për të zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor. Drejtuesit janë faktorët kryesorë. Në çdo segment rrugor, ndërhyrja e punonjësve të policisë është e domosdoshme se bëhet amulli e vërtetë, nuk i jepet përparësi atij që ka të drejtën, nuk japi përparësi kur s’ka sinjalistikë, në rrethrrotullim futet krahu i djathtë dhe i bllokon rrugën krahut të djathtë. Janë rregulla që nuk zbatohen nga drejtuesit”, vijon ai.

Eksperti apelon shoferët për më shumë ndërgjegjësim, ndërsa thekson e vendos edhe tek vështirësitë me të cilët përballen policët, për të cilët thonë se kanë prej korrikut që punojnë me orar të zgjatur. “Shpëtimi është te ndërgjegjësimi dhe rritja e edukatës qytetare. Nuk duhet të drejtojmë mjetin në gjendje të dehur në këto festa. Ata kanë nga 12 orë që punojnë që nga korriku, duhet të jenë të freskët për të punuar. Situata në Tiranë ka qenë shumë e ngarkuar”, përfundon Luzi.

Të Fundit