Festa e Sulltan Novruzit, Baba Mondi: Të kujdesemi për paqen dhe sigurinë

Besimtarët bektashinjtë festojnë këtë të shtunë “Sulltan Novruzin”, një nga festat më të rëndësishme të tyre, ditëlindjen e të madhit imam Aliut.

Të gjithë besimtarët u mblodhën në kryegjyshatën botërore në Tiranë, ndërsa Kryegjyshi Botërorë i Bektashinjve Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj doli me një mesazh për të dashur dhe ndihmuar më shumë njëri-tjetrin.

“Mesazhi që sot duhet të ndajë me ju është ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe Zotin sepse vetëm të mira vijnë prej tij. Ecim përgjatë rrugës suaj në rrugën e drejt të së vërtetës, e të jemi falenderues ndaj bekimit të Zotit. Këto ceremoni fetare janë bekimi që na bashkon në mënyrë që të ndjejmë njëri-tjetrin më afër, në dhimbje, sëmundje, hidhërime e gëzime. Zoti na do të bashkuar, jo vetëm sot po përgjithmonë. Njeriu më i mençur është ai që di të falë pavarësisht se ka mundësi të hakmerret”, tha ndërsa Kryegjyshi Botërorë i Bektashinjve.

Nisur nga ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në Shqipëri, rajon dhe botë, Baba Mondi lutet që të ketë paqe dhe siguri.

“Të jemi të kujdeshëm për fëmijët tanë, për të gjithë njerëzimit që të ketë paqe, dashuri dhe mirësi dhe jo luftëra, hakmarrje e gjakmarrje. Uroj në këtë ditë të shenjtë që paqja dhe siguria e jetës të mbizotërojë në të gjithë botën. I lutem Zotit të shpëtoj çdo jetë dhe të prehet në paqe çdo shpirt i humbur padrejtësisht në luftë. Zoti na bekoftë të gjithëve, amin”, tha Baba Mondi.

Nevruzi, që do të thotë “ditë e re” në persisht, është shumë më tepër se thjesht fillimi i një viti të ri, është një festë e lashtë e jetës, rilindjes dhe triumfit të dritës mbi errësirën.

Në Shqipëri festa e Sulltan Novruzit filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Në këtë ditë, përveç riteve fetare, besimtarët bektashinj shkëmbejnë edhe vizita e dhurara me njëri-tjetrin.

Të Fundit