Nikifor Ivanov i cili jeton në Yakutsk – një qytet i vogël siberian i ndërtuar mbi ngricë të përhershme – ka nisur të mbjellë një lloj molle që i reziston të ftohtit. Ama ato nuk bëhen dot më të mëdha se një manaferrë, gjë që për shumë mund të jetë avantazh dhe mund t’i kthejë këto mollë në një frutë të preferuar.
Yakutsk, i cili ndodhet 450 kilometra në jug të Rrethit Arktik, gjendet në ekstremin lindor të Rusisë dhe është famëkeq për klimën e tij të ashpër polare.
Në tundrën arktike e cila karakterizohet nga ngricat e përhershme, gjenden qindra specie bimësh, por duke qenë se kushtet atmosferike në Yakutia janë ekstreme dhe temperaturat në dimër arrijnë deri në minus 60 gradë Celsius, prodhimet vendase duhet t’i përshtateshin këtij lloj mjedisi duke u zvogëluar në madhësi.
Ky fenomen u vrojtua nga biologë të zonës gjatë periudhës Sovietike dhe kështu lindi një lloj i ri i mollëve ‘xhuxhe’ që mund të futen në një kuti shkrepëse.
Ivanov i tha agjencisë së lajmeve Reuters se është munduar të përgatisë reçelra të ndryshëm me këto mollë, për përdorim vetjak gjatë dimrit por duke marrë parasysh sa shumë punë duhet për t’i prodhuar këto fruta, ai tashmë thjesht i shijon si karamele.
Është e vështirë të imagjinohet se si mund të arrijë të rritet një frutë në këto kushte e këto rajone me një klimë kaq të ashpër, por kjo është pikërisht ajo që po ndodh në qytetin kryesor më të ftohtë në botë.