Historia, që trajtojmë, nis pesë vjet më parë, në një fshat të Beratit, kur një familje prej pesë anëtarësh u shpërbë nga varfëria, emigrimi dhe lufta për mbijetesë e një nëne me një djalë 15 vjeç me autizëm. Ndërsa babai, Eduard Shano, qëndronte prej vitesh në Greqi, gruaja e tij mbeti vetëm në fshat me tre fëmijët. Kushtet dhe mungesa e bashkëshortit, e shtynë të kërkonte divorc. Gjykata e Beratit i la nënës kujdestarinë e fëmijëve, por babai e apeloi vendimin për detyrimet, që i takonin nga vendimi.Situata ekonomike e detyroi familjen të zhvendosej në Tiranë dhe jetesa u bë e papërballueshme. Nëna punonte dy punë dhe nuk arrinte të siguronte terapi për djalin. Ajo kërkoi azil në Francë me dy fëmijët e vegjël, ndërsa vajza e madhe mbeti e vetme në Tiranë, në vitin e tretë gjimnaz. Vetmia, mungesa e prindërve dhe vështirësia e jetesës i shkaktuan asaj trauma dhe atake paniku. Ndaj nëna u detyrua të kthehej nga Franca.Vajza i kërkoi të atit ndihmë për të siguruar një shtëpi, por ai refuzoi dhe kërkoi, që djali me autizëm t’i kthehej në fshat. Vajza e çoi, por në shtëpi nuk gjeti babanë, pasi ai ishte sërish në Greqi. Djali u la nën kujdesin e bashkëjetueses së Eduardit, Behare Ibrushi, dhe fëmijës së saj 9-vjeçar.Muaj më vonë, në shkurt 2025, kur vajza shkoi në fshat për vdekjen e gjyshit, pa në fytyrën dhe trupin e të vëllait, shenja dhune. Të afërmit thanë, se kishte lënduar veten nga vdekja e gjyshit. Por 15 vjecari nuk kishte pasur kurrë sjellje agresive. Të nesërmen, ajo dhe nëna bënë denoncim, por Policia e Beratit nuk e regjistroi. Rasti u mbyll aty për aty, në bashkëpunim me OPGJ-në, policinë e zonës dhe Shërbimin Social. Djali u la sërish në të njëjtën shtëpi.Në prill 2025, për ditëlindjen e tij, nëna dhe vajza shkuan papritur në fshat. Aty gjetën djalin të kyçur në banjë. Trupi i tij ishte i mbushur me plagë dhe hematoma, madje kishte edhe një gisht të thyer. Vajza njoftoi policinë dhe u bë sërish denoncim për dhunë në familje, ndaj Behare Ibrushit. Mjeku ligjor dha 11 ditë mjekim. Por oficerët e lanë të lirë të dyshuarën, duke krijuar një vatër konflikti, duke i lënë të dyja gratë në të njëjtën shtëpi.Dy ditë më vonë ndodhi një përleshje e dhunshme në oborr, ku u përdor një thikë. Nëna e djalit e plagosi Behare Ibrushin, e cila u shtrua 6 ditë në spital. Ndërsa nëna u arrestua.
Lidhur me fatin e djalit 15 vjecar me probleme autizmi, që mbeti në rrugë, pas përleshjes së nënës me njerkën, Shërbimi Social i Beratit e dërgoi në Qendrën “Lira”, pa i ofruar asnjë trajtim mjekësor. Dy vajzat e mitura u lanë të pastreha, të braktisura në rrugë dhe u kthyen vetë natën për në Tiranë.Personeli i Qendrës “Lira”, rrëfen, se djali 15-vjeçar ishte i djegur, i rrahur, me gisht të thyer dhe i traumatizuar. Drejtoresha konfirmon, se sot, pas 7 muajsh, gjendja e tij është rënduar. Ai ka humbur oreksin dhe qetësinë, vuan stres të rëndë dhe i mungon familja.Ndërkohë, babai, Eduard Shano, është kthyer në Shqipëri. Në bisedën, që gazetari pati me të, ai shfaqi indiferencë dhe nuk mori përgjegjësi për situatën. Përballë pyetjeve për dhunën, ai shmangu përgjigjet. Sot, dosja ndodhet në Prokurorinë e Beratit, nën drejtimin e prokurorit Eni Çulli, por ende askush nuk është vënë përpara drejtësisë për dhunën e ushtruar mbi 15-vjeçarin e spektrit autik. Shërbimi Social i Tiranës rekomandon, që djali të rikthehet në gjirin e familjes dhe të marrë mbështetje psikologjike dhe financiare, pasi Qendra “Lira” nuk është vendi i duhur për gjendjen e tij të rënduar.



