Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë, e regjistruar në Gjermani me kryetaren Dr.med. Aurora Dollenberg, e përbërë nga një grup specialistësh të mjekësisë që punojnë në shtetet europiane dhe amerikane, ngrenë shqetësimin për ndryshimin e protokolleve të trajtimit të COVID-19 në Shqipëri, që sipas tyre deri tani nuk kanë qenë të duhurat.
Numri i lartë i vdekjeve nga COVID në Shqipëri, sipas tyre, ka ardhur shpesh herë edhe për shkak të trajtimeve të gabuara mjekësore.
Në këtë kuadër, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë apelon që sistemi mjekësor shqiptar të kryejë në bazë të unifikimit të protokolleve europiane, trajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19.
“Duke u nisur nga raportimet e individëve që janë bërë kundrejt personelit mjekësor per mostrajtim të duhur terapeutik për pacientët me COVID-19 si dhe kërkesat e shumta që kanë ardhur rregullisht nëpërmjet webit të federatës www.amfe-federation.eu për trajtim e mangëta dhe të gabuara ne si Federatë ngremë zërin që sistemi mjekësor shqiptar të kryejë në bazë të unifikimit të protokolleve europiane trajtimin e paciente të sëmurë me COVID-19”, thuhet në një artikull kushtuar Shqipërisë në asamblenë e kësaj federate.
Përmes një letre të hapur që i drejtohet kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Federata e Mjekëve kërkon veç të tjerash që institucionet përgjegjëse në Shqipëri të publikojnë protokollet e trajtimit.
“Theksojmë mungesën e strukturave organizative dhe protokollet për menaxhimin për pacientët COVID-pozitiv të trajtuar në kushte ambulatore, mjeku i shtëpisë apo specialistë të tjerë të poliklinikave”, thuhet veç të tjerash në letrën e mjekëve shqiptarë në Europë, teksa shprehet gatishmëria për asistencë me mendim ekspertësh, me protokolle përkatëse dhe lobizëm pozitiv në strukturat përkatëse të EU-së dhe OBSH-së.
Letra