Hysen Vrapi ka një tokë më dokumente të rregullta në Farkë, të cilën kërkon ta shesë, pasi i duhen paratë për çështje shëndetësore, por njësia administrative nuk e dorëzon dokumentacionin në Hipotekë.
“Kam një nip shumë të sëmurë me leuçemi. Ka nja 6 vjet që e çoj çdo 6 muaj në Itali dhe e kuroj. Kam probleme me pronat në Farkë se një nga administratorët nuk m’i përcjell dokumentet në Hipotekë që në vitin 1996, kur kam marrë certifikatën me 3 vula.
Unë nuk e kuptoj, por kam nevojë shumë të madhe që t’ia zgjas jetën atij nipi. S’më japin asnjë dokument se unë dua ta shes atë sipërfaqe që kam që të mjekoj nipin. U detyrova që të vij te emisioni juaj se ndryshe nuk ia dal dot”.
Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me denoncuesin iu drejtuan Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, ku komunikuan me specialistin Kujtim Kokoli, i cili u shpreh se Hysen Vrapi nuk ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
“Ai duhet të plotësojë dokumentacionin, kaq. Në momentin që mua më vjen ky dokumentacion sipas kësaj shkrese, për 7 ditë e ka në bashki!”
Gazetarja bëri ballafaqimin e palëve, duke zgjidhur në këtë mënyrë problemin e zvarritur prej 3 vitesh.