Nga muaji mars 2026, prindërit me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë një kompensim tatimor të ri që synon të mbështesë familjet shqiptare dhe të ulet barra financiare e rritjes dhe edukimit të fëmijëve.
Sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, çdo prind që ka fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç do të ketë të drejtë të zbresë nga baza e tatueshme 48 000 lekë për çdo fëmijë kur plotëson Deklaratën Individuale të të Ardhurave (DIVA) për vitin fiskal 2025, e cila dorëzohet në mars 2026.
Kjo zbritje përdoret për të rillogaritur tatimin që është paguar gjatë vitit të kaluar, dhe nëse rezulton se është paguar më shumë se sa duhet, prindërit mund të kërkojnë rimbursimin e diferencës.
Përveç zbritjes për fëmijët, ligji parashikon edhe mundësinë e zbritjes së shpenzimeve arsimore deri në 100 000 lekë në vit për familjet me të ardhura vjetore deri në 1,2 milionë lekë, me kusht që dokumentacioni i pagesave për arsim të ruhet dhe paraqitet si provë.
Lehtësimi vlen për të gjithë prindërit që plotësojnë deklaratën e të ardhurave, dhe në çift është prindi me të ardhurat më të larta ai që përfiton zbritjen për çdo fëmijë në ngarkim. Edhe nëse një prind ka qenë i punësuar vetëm për një pjesë të vitit, ai mund të përfitojë kompensimin nëse plotëson kushtet për zbritje.
Për të maksimizuar përfitimin nga kjo masë, është e rëndësishme të ruhen dokumentet e pagesave për arsim dhe të përfshihen me kujdes në deklaratën vjetore të të ardhurave, sipas rregullave të Autoritetit të Tatimeve.



