Mjeku Pëllumb Pipero është shëruar nga Covid.
Mjeku i njohur në një postim në mediat sociale ka shkruar se është mjekuar në kushte shtëpie dhe kanë qenë kolegët e tij që janë kujdesur për të.
Në një postim në mediat sociale, Pipero hedh poshtë dhe lajmet që ai është kuruar në klinika jashtë vendit. Ai shton se “kam zgjedhur ajrin e pastër të Razmës për 3-4 ditë, dhe të hënën shpresoj të jem në krah të kolegeve të mi të pa lodhur në spitalin e sëmundjeve infektive”.
“Do kemi kohe të flasim më gjatë, t’ju përgjigjemi shumë pyetjeve që lidhen me rastet e riinfektimeve, por sidomos të infektimit tim pas marrjes se dozës së pare të vaksinës, që natyrisht nuk është rasti i vetëm, raportohen e janë në studim mjaft raste të tilla në botë. Unë jam një prej atyre që u infektova, ndryshe e pësova! Por sigurisht fale dozës së parë të vaksinës, studimet e provojnë, e kalova më lehtë sëmundjen”, shton mjeku.
Në fund ai u bën thirrje të gjithëve që të kenë kujdes dhe të mos neglizhojnë masat kundër Covid. Pipero ka marrë dozën e parë të vaksinës së Pfizer, por është infektuar në 27 Janar./tvklan.al