Shqipëria dhe Islanda janë vendet e vetme në Europë që furnizohen 100% nga energjia e rinovueshme që prodhohet nga uji, era, dielli apo burimet gjeotermale. Në një analizë të Euronews, theksohet se përveç dy vendeve europiane, janë edhe 5 të tjera në botë që mbështeten në këtë drejtim dhe se viti i kaluar ishte viti më i mirë i regjistruar për prodhimin e energjisë nga era.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pret të marrë 36 megavatë energji të gjeneruar nga parqet eolike në 2025 pasi deri më tani janë licensuar 13 operatorë. Ekspertët i thanë Euronews se edhe pse për momentin vendin kryesor e zë energjia e përdorur nga uji dhe era, edhe ajo diellore do të marrë një vend kryesor në të afërmen e afërt.
Në këtë drejtim, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë nismash si për parqet fotovoltaike, ashtu edhe për mbështetjen e bizneseve apo familjarëve për vendosjen e paneleve. Të dhënat zyrtare flasin për 8.8 terravat energji të prodhuar në 2023 ose 23.7% më shumë se një vit më parë.
Përveç Shqipërisë dhe Islandës, listës me energji 100% të rinovueshme i bashkohen edhe 5 vende të tjera jashtë Europës: Butani, Etiopia, Nepali, Paraguaji dhe Republika Demokratike e Kongos. Norvegjia u afrua me 98% të prodhimit të energjisë së saj nga era, uji ose dielli.
Në 2023 ishte Kina që kryesoi për instalimin e energjisë së erës në det dhe në tokë, e ndjekur nga SHBA, Brazili dhe Gjermania. Një rritje të fortë pati edhe Holanda. 40 vende te tjera kanë gjysmën e energjisë së rinovueshme. Liderët botërorë janë angazhuar për trefishim të energjisë së rinovueshme deri në fund të dekadës me qëllim uljen në minimum të ndotjes së natyrës.