Eurodeputeti Fredi Beleri është paraqitur këtë të martë në Gjykatën e Tiranës, ku ka kallëzuar për shpifje ish-drejtorin e Arkivave, Ardit Bido.
Seanca aktualisht ndodhet në fazën përgatitore, ndërsa avokati i Belerit deklaroi se eurodeputeti vendosi të marrë pjesë personalisht, duke qenë se ndodhej në Tiranë.
Në seancën e pajtimit, Beleri nuk e tërhoqi denoncimin e tij dhe i është hapur rruga gjykimit të çështjes. Nga ana tjetër, Ardit Bido ka pranuar mundësinë e pajtimit, por ka refuzuar të tërhiqet nga deklaratat e tij publike, të cilat Beleri i konsideron si shpifje.
Në padinë e tij, Beleri ka pretenduar se Bido ka shpifur duke përfshirë emrin e tij në masakrën e Peshkëpisë dhe duke e lidhur atë me grupime ultra-nacionaliste greke. Jashtë gjykatës, Bido ka deklaruar disa muaj më parë se deklaratat e tij ishin të mbështetura nga fakte të pohuara nga studiues grekë.