Erion Veliaj: Kur unë të flas, do të jetë “breaking news”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit, ka publikuar një mesazh këtë të martë, ku paralajmëron se mund të flasë dhe fjalët e tij do të përbëjnë lajm.

Ai ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në “Tik Tok” një video të cilën e shoqëron me një tekst në gjuhën angleze që përmban këtë mesazh: ”Kur unë të flas do të jetë breaking news”.

Më pas në tekstin që shoqëron videon, ai shton: “Mezi po pres, se ju e dini që kur flas, flas shumë.”

Kujtojmë se Erion Veliaj është vënë në hetim nga SPAK disa muaj më parë dhe që prej 10 shkurtit, kur u arrestua, qëndron në paraburgimin e Durrësit.

Në korrik, atij dhe bashkëshortes Ajola Xoxa, i janë komunikuar akuzat, mes të cilave përfshirja në korrupsion dhe pastrimi i parave, ndërsa në shtator SPAK do t’u komunikojë atyre edhe përfundimin e hetimit. Vetë Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat në reagime të mëparshme për mediat dhe kryebashkiaku i ka konsideruar ato si sulm politik.

@erionveliaj_Mezi po pres, se ju e dini që kur flas, flas shumë.

♬ original sound – Tubzz317🏁

Të Fundit