Erion Veliaj dhe Lulzim Basha do të mbrohen nga Garda e Republikës

Kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i janë shtuar listës së personaliteteve të larta të cilët do të ruhen nga Garda e Republikës.

Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave. Pjesë e kësaj liste janë gjithashtu dhe ministri Brendshëm Bledi Çuçi, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko.

PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE DHE OBJEKTEVE TË TJERA, QË RUHEN DHE MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, pikat 1, shkronjat “a” e “d”, dhe 2, shkronja “d”, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron edhe këto personalitete:

a) Prokurorin e Përgjithshëm;
b) Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit;
c) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ç) Kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare;
d) Kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare;
dh) Anëtarët e Këshillit të Ministrave;
e) Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;
ë) Kryetarin e Bashkisë së Tiranës;
f) Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
g) Kryetarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
gj) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave;
h) Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
i) Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve;
j) Kryetarin e komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerët Publikë, vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
k) Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri;
l) Pjesëtarët e familjeve, si: bashkëshorti, bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të Presidentit, të kryetarit të Kuvendit e të Kryeministrit, kur ka informacione nga strukturat ligjzbatuese se kërcënohet jeta e tyre.

Të Fundit