Mbrëmja e djeshme ka shënuar erëra të forta në Vlorë, të cilat kanë shkaktuar probleme në disa zona të qytetit. Pranë rrugës kryesore është rrëzuar një rrap shumëvjeçar, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet që qarkullonin në zonë.
Dëme janë regjistruar edhe në Pyllin e Sodës, ku disa pisha janë shkulur nga rrënjët, duke bllokuar rrugët kryesore dhe vështirësuar qarkullimin për disa orë. Ekipet bashkiake ndërhynë për pastrimin e zonës dhe hapjen e rrugëve.
Situatë e ngjashme u shënua edhe në Plazhin e Vjetër, ku një pemë e madhe u rrëzua, duke bllokuar njërin krah të rrugës dhe duke rrezikuar kalimtarët. Shërbimet publike ndërhynë menjëherë për normalizimin e qarkullimit.
Ndërkohë, nuk janë raportuar probleme me përmbytjet. Që prej mëngjesit të sotëm, situata në qytet është stabilizuar, ndërsa strukturat vijojnë monitorimin e territorit.



