Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur mbështetjen e tij “për të drejtën e Iranit për vetëmbrojtje” në konfliktin me Izraelin në Lindjen e Mesme, duke dënuar ashpër sulmet izraelite dhe heshtjen ndërkombëtare ndaj tyre
Gjatë një takimi të Grupit Parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, Erdogan u shpreh se Irani ka të drejtë legjitime dhe natyrore për t’u mbrojtur nga “banditizmi dhe terrorizmi shtetëror” i Izraelit. Ai kritikoi ashpër udhëheqjen izraelite, duke vënë në dukje se kryeministri Benjamin Netanyahu ka tejkaluar në krimet e tij gjenocidale edhe diktatorin Hitler.
Presidenti turk theksoi gjithashtu rolin pasiv dhe heshtjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, si dhe shteteve që nuk reagojnë ndaj dhunës. Ai paralajmëroi se përgjegjës për gjakun e civilëve të pafajshëm, përfshirë fëmijët dhe foshnjat, janë jo vetëm agresorët, por edhe ata që heshtin para kësaj dhune.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për stabilitetin rajonal, Erdogan bëri me dije se Turqia po monitoron nga afër zhvillimet dhe është në gatishmëri të plotë për pasojat që mund të kenë sulmet izraelite ndaj Iranit në rajon. Ai shtoi se autoritetet turke kanë bërë dhe po bëjnë përgatitje për çdo skenar të mundshëm negativ.
Ky qëndrim i Presidentit Erdogan pasqyron tensionet në rritje në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli intensifikon sulmet ndaj Iranit dhe aleatëve të tij në rajon.