21 vjeçari Brice Tchantchou banues në Luksemburg, është arrestuar në aeroportin e Rinasit.
Gjatë kontrollit të bagazheve atij ju gjetën 26 kg e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Këtë sasi kanabisi ai dyshohet se e ka trafikuar nga Dubai.
Sipas informacioneve valixhja me drogë është nisur nga Tailanda. Sipas të riut valixhen ia ka dhënë një shtetas tajlandez për ta çuar në Shqipëri.
Ka bërë tranzit në Dubai dhe ka mbërritur në Rinas. 21-vjeçari ka deklaruar që e dinte se valixhja kishte rroba dhe se në Rinas do e priste dikush që ta merrte valixhen sipas tij.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas në bashkëpunim me autoritetet doganore në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në veçanti të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas që do të udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, kishte fshehur në bagazhet e tij, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fluturimi”.
Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit B. T., 21 vjeç, banues në Luksemburg.
Gjatë kontrollit në bagazhet e 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 kilogramë e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.