Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Fatmir Matraxhi, të cilët kishin kthyer një banesë në Laknas në shtëpi bari si dhe pu8nonjësin e OSHEE-së Endrit Paja.
Rezulton se dy vëllezërit ishin kthyer nga Anglia, dhe katin e dytë të banesës e kishin përshtatur për kultivimin masiv të bimëve narkotike të kanabis sativa.
Bashkë me vëllezërit në pranga përfundoi edhe shtetasi Endrit Paja, punonjës i OSHEE për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ai dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Vëllezërit sipas të dhënave hetimore, kishin instaluar edhe bokse muzike, për të shmangur zhurmat që vinin nga brenda objektit si rrjedhojë e pajisjeve që i shërbenin kultivimit të drogës si dhe aspirator për të larguar aromën. Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike kanabis sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.