Një epidemiolog i vjetër kinez tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë përparësi në fazën tjetër të hetimeve për origjinën e COVID-19, pasi një studim tregoi se sëmundja mund të kishte qarkulluar atje që nga dhjetori 2019, raportoi të enjten media shtetërore.
Studimi i botuar këtë javë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA-së (NIH), tregoi se të paktën shtatë persona në pesë shtete të SHBA ishin të infektuar me SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, disa javë para se Shtetet e Bashkuara të raportonin rastet e para zyrtare.
Një studim i përbashkët Kinë-Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), i botuar në mars tha se COVID-19 ka shumë të ngjarë të ketë origjinën në tregtinë e kafshëve të egra të vendit, me virusin që kalon te njerëzit nga lakuriqët e natës përmes një specie ndërmjetëse.
Zeng Guang, shefi i epidemiologjisë në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i tha tabloidit shtetëror ‘Global Times’ se vëmendja duhet të zhvendoset te Shtetet e Bashkuara, të cilat u treguan të ngadalta në testimin e njerëzit në fazat e hershme të shpërthimit të virusit, dhe janë gjithashtu shtëpia e shumë laboratorëve biologjikë.
“Të gjitha subjektet e lidhura me armët biologjike që ka vendi duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit”, tha ai.
Duke komentuar mbi studimin e SHBA të mërkurën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian tha se tani ishte “e qartë” se shpërthimi i COVID-19 kishte “origjinë të shumëfishtë” dhe se vendet e tjera duhet të bashkëpunojnë me OBSH.
Origjina e pandemisë është kthyer në një burim tensioni politik midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, teksa hetimet u përqendruan kohët e fundit në Institutin e Virologjisë në Wuhan, ku virusi u identifikua për herë të parë në fund të 2019.