Një 44-vjeçar nga Durrësi është arrestuar nga policia pasi i ka vjedhur me dhunë çantën një gruaje 54-vjeçare në rrugë.
Ngjarja ndodhi në rrugën Mujo Ulqinaku në Durrës ku 44-vjeçari Ilir Biba i tërhoqi çantën nga krahu qytetares duke ia marrë. Nga pmajet filmike shikohet momenti kur nga forca e tërheqjes 54-vjeçarja u përplas në tokë dhe më pas agresori ja hoqi çantën nga dora.
Njoftimi i policisë
I vodhi me dhunë çantën, një shtetaseje, në rrugë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit se në rrugën “Mujo Ulqinaku”, një shtetas i kishte vjedhur me dhunë çantën e dorës, një 54-vjeçareje, kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit I. B., 44 vjeç, banues në Durrës, i cili në përfundim të veprimeve u arrestua për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Çanta e 54-vjeçares u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.