7 shtetas shqiptarë, shtatë të tjerë ekuadorianë, sikurse edhe shtetas spanjollë, kolumbianë dhe dominikanë të lidhur me një rrjet transnacional të trafikut të drogës që transportonte kokainë në Holandë, Belgjikë, Spanjë dhe Libi u arrestuan të mërkurën gjatë operacionit “Sentinel 92-Hercules”, i kryer pas dy vitesh hetimi.
Pesë persona të tjerë ishin arrestuar më parë gjatë fazave të mëparshme të çështjes.
Isaac Mauricio Chica Mora llogaritet të ketë qenë kreu i grupit, si aksionar kryesor dhe pronar i kompanisë “Expobanapri”
Mediat në Ekuador raportojnë se sipas hetimit policor, të arrestuarit vepronin si aksionarë, menaxherë dhe njerëz kryesorë të kompanive që simulonin aktivitete bujqësore dhe tregtare, por në realitet shërbenin si mbulesa për dërgesën e kontejnerëve të kontaminuar me drogë në disa porte ndërkombëtare.
Ministri i Brendshëm ekuadorian, John Reimberg shpjegoi se rrjeti vepronte nga shtëpitë dhe zyrat në Samborondon, Naranjal dhe Daule, ku u kryen tetë bastisje të njëkohshme.
Në operacionet e mëparshme, Policia kishte sekuestruar veçse tetë ton kokainë, pjesë e dërgesave të monitoruara përmes operacioneve të kontrolluara të koordinuara me vendet e destinacionit.
“Vlera totale e drogës së konfiskuar arrin në 17.5 milionë dollarë amerikanë në Ekuador dhe tejkalon 360 milionë dollarë amerikanë në tregjet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë”, thotë media nga Ekuadori, “Extra”.
Sipas Reimberg, tre kompani të lidhura me rastin regjistruan rritje ekonomike “absolutisht joproporcionale”, duke lëvizur rreth 300 milionë dollarë amerikanë gjatë periudhës nën hetim.
“Struktura kriminale nuk vepronte vetëm në Ekuador. Në koordinim me autoritetet spanjolle, u kapën 11 të huaj, përfshirë shtetas shqiptarë, spanjollë, kolumbianë dhe dominikanë, të cilët do të ishin pjesë e të njëjtit rrjet”, thotë ky medium.
Ndër provat e mbledhura gjatë bastisjeve janë tetë armë zjarri, 153 fishekë, kompjuterë, 15 telefona celularë, radio komunikimi, pajisje elektronike, bizhuteri dhe 3,525 dollarë amerikanë në para të gatshme.
Reimberg theksoi se ky rast është pjesë e një serie operacionesh të kryera për më shumë se dy vjet nga Njësia Kundër Narkotikëve dhe Zyra e Prokurorit, me qëllim identifikimin e anëtarëve të rrjetit, të cilët përdorën kompani të krijuara ligjërisht për të mbuluar trafikun ndërkombëtar të drogës.
Këta janë shqiptarët e arrestuar në operacionin “Sentinel 92–Hercules”:
Marjus Galan (shqiptar)
Emanuel Rrapushi (shqiptar)
Ilir Deda (shqiptar)
Kristian Berishaj (shqiptar)
Krener Meco (shqiptar)
Sokol Cali (shqiptar)
Klajdi Kolgjegja (shqiptar)



