Familjet emigrante, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, do të deportohen nëse refuzojnë stimujt financiarë për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar sipas planeve të shpallura nga laburistja, Shabana Mahmood.
Në një plan prej 33 faqesh, Mahmood paraqiti propozime për të ofruar mbështetje financiare për të gjitha familjet emigrante të cilave u është refuzuar azili, për t’u mundësuar atyre të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Nëse ata refuzojnë paratë, Ministria e Brendshme do ta largojë me forcë familjen, përfshirë fëmijët e tyre.
Aktualisht, shuma maksimale e ofruar është 3,000 paund për person.
Plani i ri thotë se sistemi i azilit aktualisht nuk i jep përparësi kthimit të familjeve, që do të thotë se shumë familje të azilkërkuesve të dështuar vazhdojnë të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar “duke marrë akomodim falas dhe mbështetje financiare, për vite me radhë”.
“Hezitimi ynë ndaj familjeve që kthehen krijon stimuj veçanërisht të pafavorshëm”, thuhet në planin e Ministrisë së Brendshme.
Këtu përfshihen rreth 700 familje shqiptare, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, por largimi i tyre nuk po zbatohet sepse kanë fëmijë.
Aktualisht, familjet me fëmijë nën moshën 18 vjeç në momentin kur u refuzohet azili vazhdojnë të marrin mbështetje qeveritare derisa fëmija më i vogël të mbushë 18 vjeç, edhe nëse të gjitha rrugët e apelimit janë shteruar dhe ata refuzojnë të kthehen.
Masat e ashpra janë një sërë reformash për të rritur deportimet dhe për të zvogëluar faktorët tërheqës drejt Britanisë që e kanë bërë atë destinacionin e Evropës për azil.
Mahmood i ka cilësuar reformat si më të rëndësishme të sistemit të azilit që nga Lufta e Dytë Botërore.




