Emergjencë mjedisore në Elbasan pas zjarrit në landfill

Emergjenca mjedisore në landfillin e Elbasanit është ajo që mbeti pas 6 ditëve zjarri në fushën e mbetjeve. Sot, dy ministrat, Vëngu dhe Hoxha, kanë mbërritur në landfillin e Elbasanit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, vlerësoi punën e bërë nga efektivët, por shmangu të japë detaje sa i takon nivelit të ndotjes në Elbasan.

“Ka qenë një situatë aspka e dëshiruar nga ana mjedisore. Nga analiza jonë na rezulton që në zonat urbane dhe rurale nuk ka pasur elementë shqetësimi”, tha Pirro Vëngu, Ministër i Mbrojtjes.

Në të njëjtën linjë vijoi edhe ministri i Brendshëm, i cili tha se ende nuk ka emra përgjegjës për zjarrin. Ndërsa për masat e mbrojtjes nga zjarri në landfill, ministri u shpreh se nuk kishte dijeni, duke shmangur edhe pyetjen në lidhje me vënien në punë të inceneratorit.

“Masat janë zbatuar por në temepratura kaq të nxehta, zjarri ka qenë i pashmangshëm. Inceneratori sot është i mbingarkuar, sot është në funksion por impianti, mbetjet janë aq të shumta saqë kërkon një rimenaxhim”, tha Ervin Hoxha, Ministër i Brendshëm.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Elbasan, i pyetur për menaxhimin e mbetjeve gjatë këtyre ditëve që fusha nuk ka funksionuar, u shpreh kështu:

“Një pjesë ë tyre nuk janë depozituar, janë akoma të tërhequra nga bashkitë në vende specifike”, shtoi Gledian Llatja, kryebashkiaku i Elbasanit.

Por Elbasani nuk gjeti qetësi as pas shuarjes së zjarrit në landfill. Një zjarr tjetër ra në varrezat e reja, duke u përhapur edhe në parcelat e dedikuara për fëmijët. Ngjarja ka sjellë një ngarkesë të madhe emocionale për familjarët që kanë të afërmit e tyre të prehur aty.

Policia ka nisur procedimin penal ndaj një 33-vjeçari, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin disa shkurreve pranë varrit të nënës së tij. Flakët më pas janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe më të gjerë.

Të Fundit