Gjykata Penale e Tiranës vendosi këtë të mërkurë masën e sigurisë “arrest në burg” për tre personat e arrestuar pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit.
Në këtë seancë, gjyqtarja Marinela Osmani vendosi masat e arrestit me burg ndaj Elvis Shkambit, autorit të vrasjes, xhaxhait të tij Gjon Shkambit, si dhe punonjësit të sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Elvis Shkambi, i dyshuar si autori i vrasjes, dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, kërkuan falje publike për familjen e gjyqtarit Kalaja.
Ata justifikuan ngjarjen si pasojë e një tronditjeje të fortë psikike, për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve.
Seanca u zhvillua nën masa të forta sigurie ndërsa drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arenc Çela, i cili ka marrë në dorë dosjen e hetimit, kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të arrestuarit.
Seanca u mbajt në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës me dyer të mbyllura. Elvis Shkambi, 30 vjeç, përballet me tre akuza të rënda nga Prokuroria: vrasja e funksionarit publik, vrasja e kundërshtarëve në gjyq (e mbetur në tentativë) dhe armëmbajtje pa leje. Ai është i dyshuar gjithashtu për plagosjen e Rakip dhe Ervis Kurtajt, baba e bir.
Për Gjon Shkambin, 56 vjeç, Prokuroria ka ndryshuar referimin e Policisë, e cila më parë e kishte akuzuar edhe për vrasjen e gjyqtarit.
Aktualisht, ai dyshohet vetëm për dijeni në lidhje me planin e nipit të tij, por lidhur me palën tjetër në gjyq, Rakip dhe Ervis Kurtajn, ku dyshohet se ka luajtur rolin e nxitësit në tentativën e vrasjes.
Prokuroria thekson se Gjon Shkambi ka bërë kërcënime publike në emisione televizive, duke deklaruar se do të vriste personat që sipas tij kishin zaptuar një godinë trekatëshe në Shkodër. Madje, vetë familjarët kanë kallëzuar në polici për kanosjet e marra prej tij.
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ka tronditur sistemin gjyqësor shqiptar. Zyrtarët më të lartë të drejtësisë kanë reaguar ashpër, duke kërkuar masa të forta për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve në gjithë vendin.