Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, bëri të enjten paraqitjen e tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku parashikoi se robotët do të tejkalojnë njerëzit në numër dhe se inteligjenca artificiale mund të ofrojë zgjidhje për sfida madhore si plakja e popullsisë.
Drejtori ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX foli në një sesion publik me shefin e BlackRock, Larry Fink, duke shënuar një ndryshim qëndrimi, pasi Musk e kishte kritikuar më parë Davosin si elitist dhe të mërzitshëm. Fink e hapi diskutimin duke nxitur audiencën të duartrokiste më fort për Muskun, duke thënë se reagimi fillestar nuk ishte i mjaftueshëm.
Musk e nisi fjalën me humor, duke ironizuar ambiciet territoriale të presidentit amerikan Donald Trump. “Dhe unë mendova, a është ajo pjesë? Një copë e vogël e Grenlandës. Një copë e vogël e Venezuelës”, tha ai me shaka.
Ai përsëriti gjithashtu pretendimet e tij për jetën jashtëtokësore. “Shpesh më pyesin nëse ka alienë mes nesh. Dhe unë them se jam një prej tyre, por nuk më besojnë”, u shpreh Musk.
Sipas tij, zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe robotikës do të sjellë një shpërthim ekonomik të paparë. “Ne do të krijojmë aq shumë robotë dhe inteligjencë artificiale saqë do të plotësojnë nevojat njerëzore. Parashikimi im është se do të ketë më shumë robotë sesa njerëz”, tha Musk.
Ai njoftoi se robotët humanoidë Optimus të Teslës pritet të kryejnë detyra të thjeshta në fabrika deri në fund të këtij viti dhe punë industriale më komplekse brenda 12 muajve.
“Kush nuk do të donte që një robot, duke supozuar se është shumë i sigurt, të mbikëqyrë fëmijët e tij apo të kujdeset për kafshët shtëpiake?”, përfundoi Musk.



