Teksa komentonte rezultatet e sezonit turistik të këtij viti në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që u mbajt në Vjenë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te vlera e pronave.
Sipas shefit të qeverisë çmimi i pronave në Shqipëri do të vijojë të rritet dhe madje të dyfishohet pasi vendi të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Për këtë arsye Rama ka ftuar investitorët që të blejnë prona në Shqipëri, tanimë që edhe sezoni turistik është zgjatur përtej 180 ditëve.
“Në fakt sezoni po zgjatet tashmë. Këtë vit ka qenë shumë e qartë, që numrat janë shtuar tashmë, sigurisht në terma relative duke i krahasuar me vitin e kaluar, por do të thosha që pyetja që ju bëtë ose sfida është e vërtetë. Na duhet që të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Vetë investuesit mund të bëjnë më shumë në këtë fushë. Ju mund të na ndihmoni që të ndihmojmë vetë strukturat qeveritare dhe ato vendore që të jenë edhe personat që kanë dalë në pension të vijnë të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri. Mendoj që do të ndodhë kjo gjë. Edhe sepse sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtetë përpara dhe ka hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende. Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, t’i shpenzoni duke blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë investim shumë i mirë në Shqipëri. Sepse çmimet do rriten akoma më shumë edhe kur të bëhemi shtet anëtar i BE. Çmimet rriten pothuajse dyfish. Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite, dhe e shisni me çmim dyfish. Ejani në Shqipëri dhe blini prona”, deklaroi Rama.