Met Gjura, babai i Eleonora Trocit, 24-vjeçares që u mbyt nga burri në prani të fëmijëve në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Itali ndihet fajtor për atë që i ndodhi vajzës së tij.
Në një prononcim për media, babai i së resë ka treguar se ishin divorcuar para disa muajsh, por 24-vjeçarja ishte kthyer sërish me ish-bashkëshortin pasi pleqtë kishin ardhur dhe kishin kërkuar pajtim.
“E kam vrarë unë me dorën time se nuk duhet ta kisha dhënë pasi u bë divorci. E dërgova për së dyti tek ai burrë. U bëra sebep se erdhi miqësia për ta dhënë te kjo familje”, tha babai i vajzës.
Të gjitha banorët flasin fjalët më të mira për familjen e 24-vjeçares dhe vetë të renë që e njihnin si një vajzë të urtë që kujdesej për fëmijët pavarësisht vështirësive ekonomike.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Caserta, Itali, ku viktima kishte vetëm dy muaj që i ishte bashkuar ish-burrit.
Krimi ndodhi në shtëpinë ku çifti banonte së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës 4 dhe 6-vjeç, të cilët ishin dëshmitarë të tragjedisë.
Rreth orës 05:00 të mëngjesit të së mërkurës Lulzin Toci mbyti me duar 24-vjeçaren pa asnjë arsye të dukshme, ndërsa ajo ishte në shtrat.
Pasi vrau Eleonorën, vrasësi u largua për të shkuar në shtëpinë e kunatës së tij (gruas së vëllait) e cila jetonte disa qindra metra më tutje, duke i kërkuar që ta shoqëronte në spital pasi nuk ndihej mirë.
Megjithatë, sjellja e tij, veçanërisht mungesa e Eleonorit, e bëri gruan të dyshonte dhe vendosi të merrte me videocall në telefon viktimën.
Por ishte një nga fëmijët që u përgjigj dhe i tronditur i tregoi atë që kishte ndodhur: “Babi vrau mamin”, duke inkuadruar në kamera trupin e nënës së shtrirë në krevat.
Në atë moment ka qenë kunata e çiftit që ka lajmëruar policinë, që ka shkuar në vendngjarje.
30-vjeçar Lulzim Toci është gjetur duke u endur në gjendje konfuze pranë shtëpisë së kunatës së tij. Pas arrestimit, ai nuk mundi t’i shpjegonte arsyen e krimit.