E rreh dhe i pret gishtin njerka se nuk e duron dot, fëmija autik bashkohet me nënën pas shumë vuajtjesh!

Në 25 nëntor trajtuam një histori, që kishte nisur pesë vjet më parë, në një fshat të Beratit, kur një familje prej pesë anëtarësh u shpërbë nga varfëria, emigrimi dhe lufta për mbijetesë e një nëne me një djalë 15 vjeç me autizëm. Ndërsa babai, Eduard Shano, qëndronte prej vitesh në Greqi, gruaja e tij mbeti vetëm në fshat me tre fëmijët. Kushtet dhe mungesa e bashkëshortit, e shtynë të kërkonte divorc. Gjykata e Beratit i la nënës kujdestarinë e fëmijëve, por babai e apeloi vendimin për detyrimet, që i takonin nga vendimi.Situata ekonomike e detyroi familjen të zhvendosej në Tiranë dhe jetesa u bë e papërballueshme. Nëna punonte dy punë dhe nuk arrinte të siguronte terapi për djalin. Ajo kërkoi azil në Francë me dy fëmijët e vegjël, ndërsa vajza e madhe mbeti e vetme në Tiranë, në vitin e tretë gjimnaz. Për shkak të vajzës, nëna u detyrua të kthehej nga Franca.Vajza i kërkoi të atit ndihmë, për të siguruar një shtëpi, por ai refuzoi dhe kërkoi, që djali me autizëm t’i kthehej në fshat. Djali u la nën kujdesin e bashkëjetueses së Eduardit, Behare Ibrushi, dhe fëmijës së saj 9-vjeçar.Muaj më vonë, në shkurt 2025, kur vajza shkoi në fshat për vdekjen e gjyshit, pa në fytyrën dhe trupin e të vëllait, shenja dhune. Të afërmit thanë, se kishte lënduar veten nga vdekja e gjyshit. Rasti u mbyll aty për aty, në bashkëpunim me OPGJ-në, policinë e zonës dhe Shërbimin Social. Djali u la sërish në të njëjtën shtëpi.Në prill 2025, për ditëlindjen e tij, nëna dhe vajza shkuan papritur në fshat. Aty gjetën djalin të kyçur në banjë. Trupi i tij ishte i mbushur me plagë dhe hematoma, madje kishte edhe një gisht të thyer. Vajza njoftoi policinë dhe u bë sërish denoncim për dhunë në familje, ndaj Behare Ibrushit. Mjeku ligjor dha 11 ditë mjekim. Por oficerët e lanë të lirë të dyshuarën, duke krijuar një vatër konflikti, duke i lënë të dyja gratë në të njëjtën shtëpi.Dy ditë më vonë ndodhi një përleshje e dhunshme në oborr, ku u përdor një thikë. Nëna e djalit e plagosi Behare Ibrushin, e cila u shtrua 6 ditë në spital. Ndërsa nëna u arrestua.Ne jemi rikthyer në familjen Shano tek nëna me 3 fëmijët.Shumë qytetarë i kanë ndihmuar ata.

Nga ana tjetër Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social, drejtoresha Juvina Qevani, ka nisur procedurat për kalimin e kujdestarisë së 15 vjecarit sërish tek nëna dhe motrat në Tiranë.Kempi dhe ndihmësit, që i takojnë të miturit me problemeve të autizmit, do t’i kalojnë familjes Shano nga Berati në Tiranë nga Shërbimi Social me procedurë emergjente.Ndërsa Ministria e Arsimit ka bërë të mundur regjistrimin e tij në shkollën “Luigj Gurakuqi”, një shkollë speciale për personat me aftësi ndryshe.

Të Fundit