E rëndë në Itali, 23-vjeçari shqiptar vritet më thikë pranë universitetit

Një 23-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Hekuran Cumani, është gjetur i pajetë në parkingun e Universitetit të Ekonomisë në Perugia, Itali. Dyshohet se i riu është qëlluar me thikë, ndërsa motivet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende nën hetim.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit, në parkingun përballë fakulteteve të Ekonomisë dhe Matematikës, pranë mensës së universitetit. Ky parking është i hapur dhe falas gjatë natës, nga ora 19:00 deri në 07:00, dhe përdoret shpesh si pikë hyrëse për në qendrën historike të qytetit apo për mbrëmje në klubet lokale.

Mediat italiane shkruajnë se 23-vjeçari kishte mbërritur në kryeqytetin e Umbrisë atë mbrëmje për të kaluar një natë me një grup miqsh. Pasi ndaluan në disa bare, grupi u drejtua për në një kafene me pamje nga parkingu i universitetit.

Atje, të rinjtë thuhet se hasën një grup tjetër me të cilët u grindën, motivet e të cilit ende po hetohen. Grindja u përshkallëzua në një sulm fatal.

Ekzaminimet fillestare të trupit zbuluan se 23-vjeçari ishte goditur me një plagë të vetme vdekjeprurëse nga goditja me thikë midis fytit dhe gjoksit. Gjurmët e gjetura në asfalt sugjerojnë se djali u përpoq të ikte pas goditjes me thikë, përpara se të rrëzohej përtokë, jo shumë larg hyrjes së Departamentit të Matematikës. Pamjet nga kamerat e mbikëqyrjes së universitetit mund të jenë vendimtare në identifikimin e autorit të krimit. Miqtë e viktimës thuhet gjithashtu se kanë dhënë informacione të dobishme në identifikimin e sulmuesit.

Të Fundit