Një vajzë 2-vjeçare është shtruar në spital me djegie të rënda pasi një automjet ka marrë flakë në zonën e Kavalarit të Selanikut, siç raportojnë mediat lokale.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës. Sipas medieve greke, babai 28-vjeçar i vajzës ndodhej në oborrin e shtëpisë dhe po mbushte automjetin e tij me benzinë nga një bidon, ndërsa pranë tij ndodhej vajza e tij. Më pas në rrethana të panjohura ka rënë zjarr dhe rrobat e fëmijës janë përfshirë nga flakët.
Vajza 2-vjeçare u dërgua në spitalin Papageorgiou dhe prej andej u transportua me avion në Aglaia Kyriakou. Informacionet e fundit bëjnë me dije se ajo ndodhet e shtruar në gjendje kritike në ICU, me djegie të rënda.
Babai 28-vjeçar i vajzës, pas ngjarjes është dërguar në spitalin AHEPA ku i është dhënë ndihma e parë. Siç raporton makthes.gr, ndaj tij është ngritur një dosje për ekspozim të të miturve në rrezik, ndërkohë që hetimet paraprake për ngjarjen po kryhen nga Departamenti i Sigurisë së Lagadës.