Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi sot Greqinë, ku një 18-vjeçar mbyti nënën e tij me peshqir. Ngjarja ndodhi në Flamouli të Trikalës. Djali 18-vjeçar e mbyti nënën e tij me një peshqir, teksa ajo ishte ulur e shkujdesur në divan dhe po shikonte televizor. Ndonëse ishte ulur pranë saj, djali për pak çaste ngrihet dhe shkon në banjo, ndërsa merr prej aty një peshqir dhe ia vendos në qafë nënës së tij, duke i shkaktuar asaj mbytjen.
18-vjeçari, i cili jetonte me të atin pasi prindërit e tij ishin të divorcuar, dyshohet se kishte grindje të shpeshta me të ëmën, pasi nuk i miratonte, siç pretendonte, veprimet dhe sjelljet e saj. Pas vrasjes së nënës së tij, i riu, me të njëjtën qetësi, telefonoi policinë dhe u tregoi atyre se çfarë kishte bërë. “Ejani të më arrestoni”, mësohet të jetë shprehur ai. Forcat e policisë nxituan menjëherë në shtëpinë ku u raportua krimi dhe aty gjetën gruan fatkeqe të vdekur, ndërsa arrestuan të birin. Në të njëjtën kohë, u njoftua shërbimi mjeko-ligjor i Larisës dhe materiali fotografik iu dërgua menjëherë kreut të shërbimit, i cili, bazuar në shenjat e vërejtura rreth qafës, konfirmon, në parim, vdekjen nga mbytja. Shenjat konfirmojnë përshkrimin e 18-vjeçarit se si e vrau gruan që e solli në jetë.
I riu nuk ka probleme psikiatrike në të kaluarën, ndërsa hetimi i policisë është duke vazhduar për të përcaktuar motivet që e çuan në vrasje dhe rrethanat që mbizotëruan midis nënës dhe birit.