Një vjedhje e pazakontë ka tronditur Francën, ku rreth 450 kilogramë kërmij – një produkt i rëndësishëm gastronomik në festat e fundvitit – janë grabitur nga një fermë në rajonin e Champagne. Sipas BBC, vlera e kërmijve të vjedhur arrin në rreth 100 mijë dollarë.
Hajdutët dyshohet se kanë hyrë në fermën L’Escargot Des Grands Crus natën, duke prerë gardhin dhe duke hyrë me forcë në ambientet e ruajtjes. Aty ata kanë boshatisur dhomat frigoriferike ku ruheshin kërmijtë, si të freskët ashtu edhe të ngrirë.
Pronari i fermës, Jean-Mathieu Dauvergne, tha se kjo është një goditje e rëndë për biznesin, veçanërisht në periudhën e fundvitit, kur kërkesa për escargot është shumë e lartë.
“Ky është sezoni ynë më i ngarkuar. Të shohësh që i gjithë stoku zhduket brenda natës është tronditëse”, tha ai për mediat.
Kërmijtë e vjedhur ishin të destinuar për porosi në restorante të nivelit të lartë, përfshirë edhe lokale me yje Michelin, ku escargot konsiderohet një produkt premium.
Fermës tani i duhet të rindërtojë stokun në kohë rekord, ndërsa policia franceze ka hapur një hetim për identifikimin e autorëve.
Burimi: BBC



