Kryeministri Edi Rama foli këtë të premte për masat e marra nga qeveria në lidhje me forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike nga zaptuesit, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit, si dhe ndëshkimin e ndërtimtarisë së paligjshme.
Në fjalën e tij, Rama theksoi krijimin e një “liste të zezë” dhe ndalimin për dhënien e lejeve të ndërtimit për shkelësit e ligjit.
Ai u shpreh se kjo listë nuk do të përfshijë vetëm kompanitë, por edhe individët, administratoret, ortakët dhe pronarët përfitues që kanë shkelur ligjin.
“Do të krijojmë listën e zezë dhe ndalimin për të pajisur me leje ndërtimi shkelësit e lejeve të ndërtimit, jo vetëm kompanitë, por të gjithë personat që përfshihen në proces — zhvilluesit, shoqëritë, individët, administratorët, ortakët dhe pronarët përfitues, të cilët do të përjashtohen nga çdo mundësi për të marrë leje ndërtimi për një periudhë 5-vjeçare,” deklaroi Kryeministri.
Ai shtoi se kjo listë do të mbahet dhe përditësohet nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe do të jetë një regjistër publik online, i aksesueshëm për të gjithë.
Rama bëri të ditur se çdo subjekt që kryen punime në kundërshtim me lejet e ndërtimit, si dhe ndryshime pa leje — përfshirë edhe ndryshimet në fasadë — do të ndëshkohet me gjoba dhe masa të tjera administrative. Këta subjekte do të përfshihen menjëherë në listën e zezë.
Ai theksoi gjithashtu se ky proces do të prekë jo vetëm subjektet, por edhe profesionistët e përfshirë në këto shkelje, përfshirë arkitektët, të cilëve do t’u hiqet licenca për 5 vjet, duke i ndaluar ushtrimin e profesionit gjatë kësaj periudhe.