Konflikti në Berat që nisi për kalin dhe përshkallëzoi në një tragjedi në vrasjen e Keli Hoxhës, është një nga tri vrasjet e kryera gjatë “së martës së zezë” së 28 tetorit.
Autori me iniciale K.M., i cili e vrau 42-vjeçarin në sy të fëmijëve të mitur, pretendoi se viktima kishte prekur kalin kur ai i kishte kërkuar mos ta bënte, si dhe e kishte pështyrë e fyer. Më pas, ky i fundit kishte nxjerrë një thikë duke e sulmuar dhe shkaktuar vdekjen.
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gjatë diskutimit për ngjarjen, në celularin e Blendi Fevziut mbërriti një mesazh. Në media, por edhe gjatë emisionit, thuhet se autori 63-vjeçar ishte një person problematik dhe mesazhi sjell një rast konkret të ndodhur gjatë vitit të shkuar.
“E di çfarë më shkruan dikush? Personi, e dinte gjithë Berati që ishte problematik. Vjet vajza shkoi në ekskursion me klasën dhe një prej shokëve të vet, thjesht se po shihte kalin, vrasësi e ka ndjekur me gurë duke i thënë pse më sheh kalin, desh i hapi kokën.
Mos të kishte ndërhyrë mësuesja… sapo e pa në lajme vajza, tha mami ky është ai xhaxhi që na gjuajti shokun me gurë”, shkruante mesazhi.




