Forca e Sigurisë së Kosovës i është bashkuar autoriteteve shqiptare në një operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat. Angazhimi i FSK-së është bërë pas kërkesës zyrtare të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të këtij operacioni, FSK ka dislokuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i pajisur me mjete dhe pajisje të posaçme për ndërhyrje në terrene të vështira dhe kushte të rrezikshme.
Forcat e angazhuara po punojnë në bashkëpunim të ngushtë me strukturat shqiptare të emergjencave civile, policinë dhe ekipet lokale të shpëtimit, duke kryer kontrolle intensive përgjatë shtratit të lumit dhe zonave përreth, me qëllim lokalizimin sa më të shpejtë të personit të zhdukur.



