E mori para minerali dhe uji/ Fadromisti i zhdukur në Burrel prej 5 ditësh, edhe Ushtria e Kosovës vjen për të ndihmuar në kërkime

Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili u zhduk më 3 maj teksa bashkë me mjetin eskavator e mori para minerali dhe uji.

Grupeve të kërkim-shpëtimit i janë shtuar edhe ekipe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Sot, të mërkurën, skuadra është vendosur pranë vendit ku po zhvillohen kërkimet.

Edhe pse kërkimet vazhdojnë, deri tani nuk është gjetur asnjë shenjë e 29-vjeçarit, por vetëm mbetje të mjetit eskavator me të cilin ai po punonte në momentin që u rrëmbye nga rrjedha e ujit dhe inerteve. E gjitha kjo ka ndodhur si pasojë e çarjes së një prej rezervuareve të filtrimit të ujit. Ushtria, banorët e zonës dhe punonjës të tjerë të fabrikës kanë dalë dhe kërkojnë trupin e të riut.

Familjarët e të riut i kanë bërë apel institucioneve për intensifikimin e operacionit të kërkimit, duke theksuar se nevojiten pajisje më të specializuara dhe makineri të posaçme për të gjetur të afërmin e tyre. Sipas tyre, vetëm disa punonjës të autoriteteve me lopata nuk mjaftojnë për të gjetur trupin e të riut.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Policia e Komisariatit të Matit arrestoi drejtuesin teknik të kësaj firme, 44-vjeçarin Ademir Lala për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë.

Të Fundit