Gjykata ka vendosur të lërë në burg pa afat 45-vjeçarin Bledar Trëndafili, i akuzuar për vrasje me dashje për shkak të marrëdhënieve familjare.
Më 31 gusht, Bledar Trëndafili e spërkati me benzinë dhe i vendosi flakën bashkëshortes së tij, Melisa Trëndafili. Ai shprehu pendesë para trupit gjykues, madje shpërtheu në lot, duke thënë: “Jam penduar për atë që kam bërë, por nuk jam në gjendje të shpjegoj pse shkova në atë akt.”
Trëndafili ka shprehur dyshime të forta për tradhti nga ana e bashkëshortes, ndërsa pretendon se ajo i kishte ndaluar takimet me fëmijët.
“Të gjitha këto e kanë rënduar gjendjen time psikologjike. Madje, ditën që ndodhi ngjarja, kam shkuar për t’i kërkuar të më lejonte të takoja fëmijët,” tha ai.
Çifti ishte në proces divorci për shkak të dhunës së ushtruar nga Bledar Trëndafili ndaj bashkëshortes së tij, e cila kohët e fundit jetonte me dy fëmijët e saj të mitur në një banesë me qera në lagjen 1 të Korçës.
Ditën e ngjarjes, Bledar Trëndafili u rikthye për ta takuar për të disatën herë bashkëshorten, me qëllim që ta bindte të hiqte dorë nga procesi gjyqësor për zgjidhjen e martesës.
Gjatë bisedës pranë banesës së Melisës, krejt papritur, ai e spërkati me benzinë dhe i vuri flakën. Gruaja qëndroi për ditë të tëra në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar, por tani ndodhet në banesën e saj në kushte më të mira shëndetësore.