Policia ka identifikuar dhe arrestuar nënën e foshnjës që u gjet e braktisur në bodrumin e pallatit në Yzberisht. 30 vjeçarja me iniciale E.I., është shoqëruar mbrëmjen e djeshme në komisariatin numër 6.
Ajo ka mohuar të jetë nëna e fëmijës, ndërsa policia ka vërtetuar dyshimet pas verifikimit të telefonave celularë.
Në dëshminë e saj para efektivëve, shtetasja me iniciale E.I., ka thënë se nuk është e martuar dhe ky fëmijë ishte i pari që sillte në jetë. Ajo pretendon se është detyruar të fshehë shtatzëninë për shkak të opinionit publik dhe familjarëve pasi nuk ishte e martuar.
Grupi hetimor ka pasur dyshime se 30-vjeçarja e ka lindur foshnjën e vetme në garazhin e pallatit ku dhe më pas e ka braktisur dhe është kthyer në banesë, çka është konfirmuar nga vetë vajza.
30-vjeçarja nuk ka përmendur babanë e fëmijës dhe ka kërkuar të mos identifikohet dhe më pas është transportuar për në spital. Ajo akuzohet për braktisje të fëmijës.