Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi politikën shqiptare se “rrota ka filluar të lëvizë dhe do të lëvizë mirë”.
Nga Durrësi, gjatë një takimi me Dhomën e Tregtisë, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i tij në zgjedhjet e 6 marsit, Basha iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të votojnë në zgjedhjet e pjesshme, pasi sipas tij, ata janë shumica dhe duhet të vendosin të ardhmen.
“Ka 30 vite, sidomos këto 8 vitet e fundit, që ua shesin tallashin njerëzve për ushqim, por njerëzit nuk hanë tallash, por as nuk kanë pse të largohen nga kjo perlë. Është në dorën tonë të kërkojmë llogari, të ballafaqohemi me të vërtetat, të mos rrimë në shtëpi, por të vendosim me votë. Edhe më 6 mars, pavarësisht se janë zgjedhje të pjesshme. E dinë të gjithë çfarë ka ndodhur më 25 prill, edhe SPAK, edhe faktori ndërkombëtar, dhe faktori ndërkombëtar po bën të gjitha përpjekjet që kësaj radhe mos përfundojnë si 339 dhe 184.
Rrota është e madhe, ka filluar të lëvizë pak ngadalë, por do të lëvizë mirë. Nuk do të lëvizë deri më 6 mars, por prapë pavarësisht se çfarë bëjnë ata, shumica janë qytetarët. Qeveria e Tiranës nuk do ta ketë të lehtë të bëjë më numra, siç bën me kullën e Habibit. Jam i bindur se zhvillimet do të jenë të shpejta dhe do jenë në rikthimin e Durrësit e Shqipërisë te durrsakët e shqiptarët. Duam një politikë me fytyrë njerëzore, që synim ka t’i kthejë institucionet shqiptarëve”, u shpreh Basha.