“E dalluan nga qafa” Nëna e mumifikuar në shtëpi, djali maskohej si ajo për të marrë pensionin

Flokë të shkurtra, por model femëror… pak grim, një këmishë, stil i viteve ’70, varëse me perla dhe vathë të stilit të vjetër. Në pamje të parë, një zonjë krejt normale. Por nëse e sheh pak më nga afër, pudra fsheh një lëkurë mashkulli dhe mosha nuk duket ajo e një 85-vjeçareje. Detaje që nuk i shpëtuan punonjëses së gjendjes civile në Borgo Virgilio, një komunë pranë Mantovës (Itali), ku kjo “grua”, Graziella Dall’Oglio, u paraqit për të rinovuar kartën e identitetit.

Punonjësja e dalloi menjëherë dhe njoftoi eprorët, të cilët lajmëruan kryetarin e bashkisë dhe policinë lokale. Kështu nisi një hetim i brendshëm që krahasoi foton e bërë në komunë dy javë më parë, me atë të kartës së identitetit të skaduar 10 vjet më parë. Dyshimet u forcuan.

Ngjashmëria ishte e dukshme, por po aq e dukshme ishte që ajo nuk mund të ishte zonja Dall’Oglio, një shtëpiake e ve, bashkëshorti i së cilës, mjek, kishte ndërruar jetë disa vite më parë. Në fakt ishte djali, një infermier aktualisht i papunë, që në versionin “Mrs. Doubtfire” ishte zëvendësuar me nënën. Arsyeja? Zonja kishte vdekur dhe ndoshta jo kohët e fundit, pasi nuk kishte pasur lajme për të prej disa vitesh.

Ndërkohë kishte lajme për pensionin e majmë që djali vazhdonte të merrte duke u shtirur si e ëma dhe duke paraqitur çdo vit një deklaratë të ardhurash në emrin e Graziella Dall’Oglio, jo e vogël: 53 mijë euro, fryt i pensionit të të shoqit mjek dhe të ardhurave nga pasuria e familjes, shtëpi dhe toka.

Siç shkruan Corriere della Sera, historia pati një fund të habitshëm dhe makabër. Punonjësja e ftoi burrin të kthehej në zyrat e komunës për të përfunduar procedurën dhe policët e detyruan të pranonte maskimin. “Duhet të bëjmë edhe një kontroll në shtëpinë tuaj”, shtuan ata. “Bëni si të doni”, psherëtiu ai. Dhe kur hynë në shtëpi, skena ishte tronditëse: në një dhomë ishte nëna, e mumifikuar…

Të Fundit