Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Kejsi Spahillarin si e dyshuar në vrasjen e të riut Antonio Karafili 7 vite më parë në Voskopojë, i gjetur i varur në pemë në afërsi të këtij fshati.
Edhe pse ngjarja u regjistrua dhe hetua si vetëvrasje, pasi 18-vjecari Antonio Karafili u gjet i varur me çarçaf në një pemë në periferi të fshatit Voskopojë, prokuroria vijoi hetimin duke mbledhur prova dhe vlerësuar indiciet, të cilat implikonin në ngjarje të dashurën e Antonios, Kejsi Spahillari dhe të riun tjetër Rexhep Vathi.
Sipas prokurorisë, nga provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari kane mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e te riut.
Motivi i krimit dyshohet të jetë lidhja paralele që Kejsi Spahillari kishte me viktimën dhe Rexhep Vathin. Pas krimit, Spahillari emigroi në Kanada, ndërsa në gusht të 2024, Rexhep Vathi vrau veten.
Prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhrin e arrestit për Spahillarin, ndërsa gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë arrest me burg në mungese për akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim.
Pas kësaj, pritet që Prokuroria e Korçës të procedoje me urdhër arresti ndërkombëtar për Kejsi Spahillarin, e cila prej disa vitesh jeton në Kanada ku ka krijuar familje.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe e ëma e Kejsit, e cila mohon që e bija të ketë lidhje me krimin. Në një deklaratë për mediat, e ëma e Kejsit kërkon drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes.
“Asnjë gjë nuk është e vërtetë, çdo gjë është një sajesë. Çdo gjë është e stisur, nga fillimi. Ka qenë komplet ndryshe historia që në fillim. Nuk e di çfarë të them, jam e shokuar. Po e dëgjoj për herë të parë. Këtë person e kam dëgjuar nga historia që ka dalë. Nuk ka mundësi që pa pasur ndonjë gjë konkrete të shpiket kjo histori. Si ka mundësi që në kaq vite policia nuk është në gjendje të zbulojë një krim…dhe të bazohen vetëm në fjalë, në sajesa.
Kejsi kur e gjeti bashkë me të ëmën e ka prekur dhe e ka prerë çarçafin. Edhe unë e kam prekur me dorë çarçafin kur e kanë sjellë djalin në shtëpi. Nuk kishte arsye që Kejsi ta bënte këtë gjë. Çdo gjë shpifet dhe besohet, si ka mundësi që çdo fjalë e thënë pa asnjë bazë të merret e mirëqenë. Të bëhesh një person vrasës pa pasur asnjë provë…Kejsi nuk ka lidhje fare.
Ishin në Korçë, kishin pasur një grindje, kishin shkuar në Voskopojë. Kishin dashur të zbisnin, ai nuk kishte dashur pas grindjes. Kejsi e kishte lënë aty, kishte marrë të ëmën dhe të vëllain duke i thënë se “nuk do të zbresë”. Kanë shkuar dhe e kanë gjetur. E ëma tha që e ngritëm peshë. Nuk e kam idenë e kësaj…nuk e di çfarë kanë sajuar gjatë rrugës. Kërkoj vetëm drejtësi dhe të zbulohet kjo. Është mëkat të bësh vrasës një person që nuk është”, tha ajo.