Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së martës fshatin Kryekuq të Divjakës, ku 32-vjeçari Besmir Kumria humbi jetën pasi u godit për vdekje me thikë.
Sipas policisë, viktima ndodhej në një lokal së bashku me miqtë e tij, kur bashkëfshatari Xhesion Toromeni, 25 vjeç, iu afrua dhe e sulmoi me armë të ftohtë. Pas krimit, autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Dyshohet se sherri mes dy të rinjve kishte nisur prej një konflikti të hershëm për një kanal vaditës. Miqtë e 32-vjeçarit nuk mundën të ndërhynin, pasi gjithçka ndodhi brenda pak sekondave.
Forcat e policisë së Divjakës dhe operacionale të DVP Fier u vunë menjëherë në ndjekje të autorit. Pas disa orësh kërkime, ai u kap dhe u shoqërua në polici.
“Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.,” njoftoi Policia e Fierit.