Tërmeti i cili ra ditën e sotme me magnitudë 3.9 ballë dhe epiqendër në Klos duket se përkonte, në një rastësi të çuditshme me të njëjtën goditje të ndodhur në të njëjtën datë dhe të njëjtën orë dy vite më parë më 21 shtator 2019.
Por ky i fundit e kishte epiqendrën në detin Adriatik dhe magnitudën 5.8.
Por si shpjegohet ky fakt?
Sizmologu Edmond Dushi për Abcnew është shprehur se kjo është një rastësi e jashtëzakonshme. Megjithatë sipas tij kjo rastësi nuk ka asnjë shpjegim fizik apo shkencor kështu që ai qetëson qytetarët duke thënë që zonat janë të ndryshme.
“Jemi të surprizuar, ka një rastësi të jashtëzakonshme, por nuk ka lidhje më kuptimin fizik apo shkencor, është thjeshtë një rastësi. Zonat janë krejt të ndryshme dhe në aspektin tektonik janë të ndryshme. Ajo është zona e Durrësit ka tjetër sjellje, kjo është zona tjetër.
Janë zona të brendshme që nuk kanë potencialin e zonave të jashtme. Natyrisht tërmeti i ’67 i Dibrës ka qenë i fuqishëm, por kjo zonë njihet që ka aktivitet të kësaj natyre.
Mos harrojmë para 4-5 vite ka pasur tërmete të kësaj natyre, deri mbi 4 në Bulqizë. Për momentin nuk shikojmë të ketë pas goditje. Ne e quajmë këtë tërmet të moderuar, nuk kanë impakt. Parashikimi është një gjë e paimagjinueshme për momentin në sizmologji.
Ne mund të themi që këto aktivitete janë në zona të caktuara të Shqipërisë, kanë qenë si para dhe pas 26 nëntorit në Shqipëri. Territori shqiptar është aktiv përsa i përket aktivitetit sizmik” shprehet sizmologu