Punonjës i karburantit në Manëz ku mbetën të vrarë dy të rinj, ka deklaruar se në dijeninë e tij, djemtë e përfshirë në këtë ngjarje ishin njerëz të mirë duke krijuar paqartësi mbi arsyet e konfliktit dhe vrasjes.
Ai shprehet se kur ka mbërritur në vendngjarje në vendin e tij të punës, ka parë ambientin e rrethuar me shirita.
“Unë erdha në mëngjes gjeta karburantin e rrethuar me shirita skene krimi, më thanë ka ndodhur një ngjarje mos u afro. Na ka tronditur kjo ngjarje, ishin çuna te sjellshëm”, tha punonjësi i karburantit në Manëz.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, në ambientet e një lokali pranë një karburanti ndërsa viktimat janë identifikuar si Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në zonën e Manzës.
Sipas burimeve paraprake nga hetimi, gjithçka ka nisur kur njëri prej viktimave, së bashku me shokun e tij, kanë hyrë në lokal dhe i kanë kërkuar kamerierit që t’u përgatiste një kafe.
Ky i fundit u ka shpjeguar se ekspresi ishte i fikur dhe e kishte të pamundur të shërbente kafe, gjë që ka shkaktuar një debat verbal mes tyre.
Situata është përshkallëzuar shpejt, pasi në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër që ndodhej në lokal ndërsa më pas ka ndodhur përplasja me armë zjarri.