Një 25-vjeçar u mor peng sot në Fier nga 2 kunetër. Mësohet se kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e një keqkuptimi nga një thirrje për të rregulluar lavatriçen tek një pengmarrje e teknikut.
Bëhet me dije se gjithçka nisi kur vëllai i E.Agalliut, shtetasi i shpallur në kërkim, me inicialet B.Agalliu, 40 vjeç, ka kontaktuar në telefon teknikun e lavatriçes, duke i dhënë edhe adresën e shtëpisë se ku duhet të shkonte.
Ky i fundit, së bashku me veglat e tij të punës, ka shkuar pranë shtëpisë ku priste të riparonte lavatriçen, ndërsa aty ka gjetur E.Agalliun dhe kunatin e tij, A.Bletën. Këta të fundit nuk e kanë besuar teknikun, duke e kujtuar si grabitës dhe me forcë e kane mbajtur atë për rreth dy orë në banesë.
Gjatë 120 minutave, ata kanë tentuar të zbulojnë se çfarë kërkonte 25-vjeçari në shtëpinë e tyre, dhe nuk e kanë besuar që ishte tekniku i lavatriçes derisa kanë marrë një telefonatë nga B.Agalliu i cili u ka thënë se ishte ai që e ka dërguar për të riparuar defektin në makinën larëse.