Kryeministri Edi Rama, në episodin e 9-të të podkastit “Flasim”, i është rikthyer çështjes së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke komentuar edhe situatën e krijuar në institucionet që varen prej saj pas vendimeve të GJKKO-së për drejtues të tjerë të nivelit të lartë.
Rama u ndal te masat e arrestit shtëpiak për drejtorin e ARRSH-së dhe drejtorin e KESH-it, duke theksuar se pavarësisht qëndrimeve të tij mbi arsyet e këtyre masave, pasojat për institucionet janë të drejtpërdrejta.
“Ja për shembull, janë vendosur në arrest shtëpie drejtori i ARRSH dhe drejtori i KESH-it. Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, se kjo po, kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë ‘bukë e djathë’ në Shqipëri. Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë.”-tha Rama.
Kryeministri shtoi se kjo situatë kthehet në një problem të pazgjidhshëm për shkak të pezullimit të ministres, e cila sipas ligjit ka autoritetin ekskluziv për të bërë emërimet në fjalë.
“Mirëpo, pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtpërdrejt me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit edhe të drejten e këtyre emërtesave. Kaq e thjeshtë është pse ministri nuk mund të pezullohet si të ishte një funksionar publik i çfarëdolloj niveli tjetër.”-vijoi Rama.




