Një tjetër rast i tentativës për korrupsion ndaj punonjësve të Policisë Rrugore është goditur në Durrës, duke e çuar në 32 numrin e drejtuesve të mjeteve të arrestuar apo vënë në hetim për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Gjatë patrullimeve me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi një automjeti në Rrugën e Doganës. Automjeti drejtohej nga shtetasi me iniciale E. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili u konstatua duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Për të shmangur masën administrative për këtë shkelje, i riu iu ofroi një shumë lekësh punonjësve të Policisë, të cilët refuzuan dhe referuan menjëherë rastin për ndjekje penale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 28-vjeçari u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.




