Drogë me postë, e vajza trafikante. Operacion masiv antidrogë në Tiranë, qindra urdhërarreste

Një operacion i gjerë antidrogë po zhvillohet këtë të enjte në kryeqytet. Burime për mediat bëjnë të ditur se Prokuroria e Tiranës ka firmosur të paktën 112 urdhërarreste dhe deri më tani janë ekzekutuar 70 prej tyre.

Po ashtu, deri në këto momente, raportohet të jenë sekuestruar mbi 3 kg kokainë. Ndërkohë gjatë operacionit është konstatuar edhe një lloj droge e re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë.

Burimet thonë gjithashtu se janë kapur qindra doza kanabisi dhe janë sekuestruar shuma të mëdha parash. Në këtë veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mësohet se ka edhe vajza të përfshira.

Përveç Tiranës, operacioni është zhvilluar edhe në qytete të tjera ku forcat e RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në Elbasan, në Fier dhe në Durrës.

Hetimet për rastin kanë nisur afro 6 muaj më parë. Autoritetet mësohet e kanë dokumentuar këtë aktivitet kriminal me përgjime, duke i mbajtur në vëzhgim anëtarët dhe një pjesë edhe me blerje të stimuluara.

Të Fundit