Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë më një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e Këshilli Bashkiak të Tiranës se furgoni që do të shoqëronte kryebashkiakun Erion Veliaj për në gjyq është vonuar. Sipas Drejtorisë së Burgjeve mjeti ka shkuar në ambientet e IEVP-së në kohë.
Më tej theksohet se Veliaj ka refuzuar të dalë me pretentimin se mjeti është vonuar. Drejtoria shton se nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor.
“Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”, thuhet në reagim.
Gjyqi ndaj Veliajt u shty në datë 19 janar për shkak të mungesës së kryebashkiakut i cili nuk ishte shoqëruar nga IVEP Durrës drejt GJKKO si dhe mungesa e disa mbrojtësve ligjorë.




